ARRU logo
1931 - Lajmi_ | Autoriteti rregullator per sherbimet e ujit

Publikimet

Publikimi i Raportit Vjetor të Performancës për vitin 2015 për Shërbyesit e Ujit në Kosovë


20.12.2016

Sot në Prishtinë, në një takim ceremonial, Autoriteti Rregullatorë për Shërbimet e Ujit (ARRU), prezantoi publikimin e Raportit të Performancës për vitin 2015, për shërbyesit e ujit në Kosovë, gjegjësisht Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU).

Drejtori I ARRU, Z. Raif Preteni, pasi ju dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve dhe i falënderoi për pjesëmarrje, tha se Raporti vjetor i performancës për ofruesit e shërbimeve të ujit në Kosovë për 2015, është i 10 me radhë në serinë e raporteve të publikuara nga Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, dhe paraqet një angazhim të rëndësishëm për të raportuar publikisht dhe në mënyrë të pavarur. Ky është një raport i plotë krahasues i shërbimeve të ujit dhe performancës se ofruesve të shërbimeve (KRU) dhe publikimi i këtij raporti nga Autoriteti bazohet në përgjegjësinë ligjore të dhënë me Ligji Nr.05/L-042, neni 37.

“Të dhënat e ofruara nga ofruesit e shërbimeve të ujit, janë verifikuar/audituar nga ARRU, përmes një procesi transparent dhe të verifikueshëm. Rregullatori në vazhdimësi ka kërkuar nga KRU-të informacion të besueshëm, të saktë dhe në kohë, me kusht që të veprojë në mënyrë efektive për të përmbushur funksionet dhe përgjegjësitë e saja institucionale”shtoi Z. Preteni.
Sa i përket sektorit të shërbimeve të ujit u tha se Performanca e përgjithshme e KRU, në vitin 2015, është më e përmirësuar në raport me vitin 2014. Përmirësimi është evident në të dyja shërbimet, Furnizim me ujë dhe Shërbime të ujërave të zeza. Përmirësime janë shënuar edhe tek performanca financiare, gjegjësisht profitabiliteti. Megjithatë brengosëse është niveli aktual në efiçencën komerciale (Norma e arkëtimit) e cila shumë pakë është përmirësuar.

“Investimet e konsiderueshme të viteve të fundit në ngritjen e kapaciteteve prodhuese të ujit përmes ndërtimit dhe funksionalizimit të dy fabrikave të ujit në rajonin e Mitrovicës, kanë ndikuar dukshëm në përmirësimin e vazhdimësisë së furnizimit me ujë për këtë rajon I cili ka qenë i prekur nga mungesa e theksuar e ujit.
Mbulueshmëria me shërbime të furnizimit të ujit dhe kanalizimit në zonat e shërbimit të ofruesve të shërbimeve në nivel të sektorit gjithashtu ka shënuar rritje të lehtë e cila e ngrit në 87% mbulueshmërinë me shërbime të furnizimit me ujë në nivel të sektorit, përderisa mbulimi me kanalizim është më i ultë me vetëm 65%.” tha Z. Preteni

Edhe pse nga viti në vit ka përmirësime të performancës së ofruesve të shërbimeve në shumicën e treguesve të performancës, si në aspektin individual të çdo ofruesi ashtu edhe në aspektin e përgjithshëm, akoma ballafaqohemi me probleme, përmirësimi i të cilave kërkon angazhim të të gjitha palëve duke filluar nga ofruesit e shërbimeve, rregullatori, konsumatorët, qeveria si aksionare e tyre, etj. Efiçenca e arkëtimit të të ardhurave nga KRU, ende është shumë më i ultë sesa që duhet të jetë dhe konsiderohet të jetë sfida më serioze me të cilën përballet sektori.
Uji i pa faturuar gjegjësisht humbjet e ujit është tepër i madh dhe raportohet se këtë vit është në nivelin 56%. Përkundër angazhimeve të brendshme të KRU-ve, dhe mbështetjes intensive të sektorit të ujit në Kosovë nga agjencitë donatore, që nga pas lufta, ato nuk ishin në gjendje që të zgjidhnin situatën alarmuese të humbjes së ujit. Përkundrazi, UPF ka stagnuar në nivel të lartë në të gjitha KRU. Sfidë për kompanitë është për të lëvizur drejt një niveli ekonomik të rrjedhjes e cila balancon koston e prodhimit me koston e angazhimit për të kontrolluar nivelin e rrjedhjes.

“Për një përmirësim më substancial të përformancës është me rëndësi që të këtë një bashkëveprim dhe koordinim më të madh në mes të gjitha palëve te interesit përfshirë: Qeverinë, rregullatorin, ofruesit e shërbimeve, si dhe donatorët. Si pikënisje në këtë drejtim do te ishte një marrëveshje e dakorduar për caqet në treguesit kyq të performances, përtej objektivave rregullatore- gjegjësisht tarifore si dhe një monitorim efektiv i vlerësimit të arritjeve së caqeve në baza periodike. Ne shpresojmë që Kompanitë e ujit, Rregullatori, Qeveria e Kosovës, Politikë-bërësit dhe të tjerët do të jenë në gjendje që ti përdorin të dhënat në këtë raport si një pikë referimi për përmirësimin e vazhdueshëm të performancës së shërbimeve të ujit dhe kanalizimeve si dhe për të ndihmuar politikat e ardhshme të lidhura me planifikimet në industrinë e shërbimeve të ujit në Kosovë” potencoi z. Preteni.

Këtë vit, çmimi për: Performanca më e mirë gjatë vitit 2015, si dhe përmirësimet më të mëdha të performancës në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014, iu ndanë KRU ‘Radoniqi’ Sh.A. Gjakovë.

Të dhënat tjera për Raportin e Performancës të vitit 2015, mund ti gjeni në ueb faqen tonë; www.arru-rks.org