ARRU logo
1961 - Lajmi_ | Autoriteti rregullator per sherbimet e ujit

Publikimet

LICENCIMI I KOMPANIVE REGJIONALE TË UJIT - PN 4/09 Datë: 30 TETOR 2009


21.12.2010

LICENCIMI I KOMPANIVE REGJIONALE TË UJIT

Sot në Prishtinë, me një ceremoni rasti, Zyra Rregullatore për Ujë dhe Mbeturina (ZRRUM), në pajtim me mandatin e vet ligjor të bazuar në Ligjin Nr. 03/L-086, bëri Përtëritjen e Licencave të Shërbimit për shtatë Kompanitë Regjionale të Ujit të cilat ofrojnë shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit si dhe për kompaninë e cila kryen shërbimet e furnizimit të ujit me shumicë. Licencimi i këtyre kompanive janë të vlefshme për afat 3-vjeçar, duke filluar nga data 31 tetor 2009.

Kompanitë e licencuara janë:
    • KUR ‘Prishtina’ sh.a., Prishtinë
    • KUR ‘Hidrodrini’ sh.a., Pejë
    • KUR ’Radoniqi’ sh.a., Gjakovë
    • KUR ‘Bifurkacioni’ sh.a., Ferizaj
    • KUR ‘Hidromorava’ sh.a., Gjilan
    • KUR ‘Mitrovica’ sh.a., Mitrovicë
    • KUR ‘Hidroregjioni Jugor’ sh.a.,Prizren


    • Ndërmarrja Hidro-Ekonomike ‘Ibër-Lepenci’ sh.a., Prishtinë

Në këtë ceremoni, përpos përfaqësuesve të kompanive publike të licencuara morën pjesë edhe përfaqësuesit e institucioneve relevante të sektorit të ujit në Kosovë:
    • Ramadan Sejdiu, Udhëheqës i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF),
    • Naser Bajraktari, Drejtor i Departamentit të Ujërave të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH),
    • Nadire Vitija, Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës së Kompanive të Ujësjellësit (SHUKOS),

Afrim Lajçi drejtor i ZRRUM, duke folur për rëndësinë e licencimit të kompanive të ujit, me këtë rast theksoi:

“Licencimi i kompanive të ujit është një ndër aspektet më të rëndësishme të procesit rregullator të cilin e zbaton ZRRUM, për faktin se me licencim veprimtaria e këtyre kompanive vendoset në suaza të rregullimit ligjor duke iu nënshtruar kushteve dhe standardeve të përcaktuara me kornizën rregullatore. Me licencë të shërbimit përcaktohen qartë dhe në mënyrë të plotë detyrat dhe përgjegjësitë specifike të këtyre kompanive në ushtrimin e veprimtarisë së tyre në lidhje me shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit që iu ofrohen konsumatorëve.

Zt. Lajçi më tutje duke iu referuar zhvillimeve të viteve të fundit në sektorin e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, tha se me reformat e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse, është krijuar një kornizë ligjore dhe institucionale solide e cila paraqet një bazë të mirë për zhvillimin e këtij sektori në vitet e ardhshme. Si rezultat i këtyre reformave, performanca e kompanive të ujit në Kosovë ka shënuar përmirësim të vazhdueshëm në 3 vitet e fundit. Poashtu si rezultat i bashkëpunimit të mirë ndërinstitucional puna e kompanive të ujit është bërë më transparente.
“ Përkundër zhvillimeve pozitive, sektori i shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit ka ende shumë sfida para vetit dhe është ende larg synimit të cilin e kemi të gjithë e që është: ofrimi i shërbimeve të qëndrueshme të ujësjellësit dhe kanalizimit në nivel të një standardi të pranueshëm të cilësisë dhe sigurisë dhe me çmime të përballueshme për të gjithë qytetarët e Kosovë. Sfida më e madhe është padyshim arritja e qëndrueshmërisë së plotë financiare që është parakusht për shërbime cilësore dhe efiçente. Kjo nuk mund të arrihet pa një përkushtim më të madh të menaxhmentit të këtyre kompanive, posaçërisht në ngritjen e shkallës së arkëtimit si dhe në zvogëlimin e humbjeve të ujit” vazhdoi më tutje zt. Lajçi.

”Mbështetja institucionale, posaçërisht për tejkalimin e vështërsive që lidhen me sundimin e ligjit e që përpos tjerash përfshijnë efikasitetin e gjykatave dhe policisë për luftimin e dukurive abuzive (vjedhja dhe keqpërdorimi i ujit të pijes, mospagesa e faturave etj.), pastaj adresimi i problemit të (mos) pagesës së rasteve sociale dhe minoriteteve etj., është me rëndësi fundamentale për arritjen e një progresi më domethënës të këtij sektori. Në këtë plan, themelimi i Task Forcës së Ujit në kuadër të Qeverisë paraqet një demonstrim të përkushtimit të Qeverisë për tejkalimin e vështirësive me të cilat ballafaqohen kompanitë e ujit në Kosovë’ theksoi në fjalën e tij Zt. Lajçi.

Në emër të qeverisë së Kosovës, të pranishmëve iu drejtuan Zt. Ramadan Sejdiu si përfaqësues i MEF-it dhe Zt. Naser Bajraktari nga MMPH. Të dytë theksuan rëndësinë e zhvillimit të sektorit të ujit për popullatën dhe ekonominë e vendit si dhe premtuan bashkëpunimin e tyre të plotë dhe përkrahjen institucionale të kompanive të ujit me qëllim tejkalimit të problemeve me të cilat po ballafaqohen këto kompani.

Ndërkaq në emër të kompanive të ujit, të pranishmëve iu drejtua Zt. Skender Bublaku kryeshef ekzekutiv i KRU “Prishtina”. Ai me këtë rast theksoi përkushtimin e kompanive të ujit për të ofruar shërbime cilësore për konsumatorët si dhe për ti përmbushur obligimet të cilat imponohen tek këto kompani me procesin e licencimit.