ARRU logo
2388 - Lajmi_ | Autoriteti rregullator per sherbimet e ujit

Publikimet

ARRU publikoi Raportin Vjetor të Performancës të KRU-ve për vitin 2017


28.06.2018

PUBLIKIMI I RAPORTIT VJETOR TË PERFORMANCËS PËR VITIN 2017 PËR SHËRBYESIT E UJIT NË KOSOVË       

Sot në Prishtinë, në një takim pune, Autoriteti Rregullatorë për Shërbimet e Ujit (ARRU), prezantoi publikimin e Raportit Vjetor të Performancës për vitin 2017, për shërbyesit e ujit në Kosovë, gjegjësisht Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU).

Drejtori i ARRU, Z. Raif Preteni, pasi ju dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve dhe i falënderoi për pjesëmarrje, tha se Raporti vjetor i performancës për ofruesit e shërbimeve të ujit në Kosovë për 2017,  dhe paraqet një angazhim të rëndësishëm për të raportuar publikisht dhe në mënyrë të pavarur. Ky është një raport i plotë krahasues i shërbimeve të ujit dhe performancës se ofruesve të shërbimeve (KRU) dhe publikimi i këtij raporti nga Autoriteti bazohet në përgjegjësinë ligjore të dhënë me Ligji Nr.05/L-042.

 “Ndër detyrat kryesore të ARRU, përveç licencimit të ofruesve të shërbimeve, përcaktimit të tarifave të shërbimeve, vendosjes së standardeve të shërbimit, inspektimin e përmbushjes së këtyre standardeve, hartimin dhe miratimin e rregulloreve dhe vendimeve rregullatore, është edhe monitorimi i performancës së ofruesve të shërbimeve’ shtoi Z. Preteni.

Sa i përket sektorit të shërbimeve të ujit u tha se Performanca e përgjithshme e KRU, në vitin 2017, është më e përmirësuar në raport me vitin 2016. Përmirësimi është evident në furnizim të rregullt me ujë dhe te mbulueshmëria me shërbime.  

Shqetësimi më i madh, si për ofruesit e shërbimeve ashtu edhe për të gjitha palët e interesit të sektorit të ujit vazhdon të mbetet uji i pafaturuar, i cili për vitin 2017 në nivel të sektorit arrin në 58%. Vlerat e larta të këtij treguesi ndikojnë negativisht në qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjeve duke pasur parasysh se për prodhimin e tij ka kosto përderisa të ardhurat janë zero. Për të pasur një shifër më të prekshme kjo përqindje shprehur në vëllim do të thotë prodhim dhe mos-faturim apo humbje e rreth 90 milion m3 ujë të pijshëm në vit.

Në këtë drejtim, përmes caqeve të dhëna gjatë përcaktimit të tarifave për periudhën 2018 – 2020 i kemi obliguar ofruesit e shërbimeve për zvogëlimin e shpenzimeve operative, zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe ngritjen e shkallës së arkëtimit.

Shfrytëzoj rastin sot që të përcjell mesazhin tek ofruesit e shërbimeve se zbatimi i biznes planeve të aprovuara, përmbushja e caqeve të përcaktuara dhe përmbushja e standardeve të shërbimit do të jenë bazë e mbikëqyrjes dhe faktori kryesor i vlerësimit të ofruesve të shërbimeve dhe rishikimit të tarifave nga ana e ARRU”-tha Preteni.

Ai gjithashtu tha se ARRU-ja do të vazhdojë bashkëpunimin dhe do përkrahë të gjitha strategjitë dhe iniciativat nga të gjitha palët e interesit (MZHE, KNMU, MMPH, IKSHP dhe Donatorët) të cilat ndikojnë në përmirësimin e performancës së ofruesve të shërbimeve.

Ndër të tjerat shtoi se niveli aktual shumë i ulët i trajtimit të ujërave të ndotura është gjithashtu faktor shqetësues, posaçërisht nëse kemi parasysh aspiratat e Kosovës për tu bërë pjesë e bashkimit Evropian. Me këtë rast falënderoi donatorët, me përkrahjen e të cilëve në disa regjione kane filluar ndërtimet e impianteve. 

Qëllimi i këtij takimi dhe paraqitja e rezultateve në këtë raport është që secili prej jush, të pranishëm sot këtu, të identifikojë fushat në të cilat përmes autoritetit dhe institucionit të cilin përfaqësoni të ndikojë në zhvillimin e mëtejmë të këtij sektori jetik për popullatën e Kosovës”, shtoi Preteni.

Në fund i falënderoi të pranishmit duke uruar që ky takim të jetë frytdhënës në mënyrë që së bashku të punohet për rezultate edhe më të mëdha në të ardhmen.

 

Këtë vit mirënjohje për Performancën më të mirë gjatë vitit 2017  iu ndanë KRU ‘Gjakova’ Sh.A. Gjakovë dhe KRU ‘Prishtina’ Sh. A. Prishtinë

 

Të dhënat tjera për Raportin e Performancës të vitit 2017, mund ti gjeni në ueb faqen tonë; www.arru-rks.org