ARRU logo
1959 - Lajmi_ | Autoriteti rregullator per sherbimet e ujit

Publikimet

NËNSHKRUHET MARRËVESHJA E BASHKËPUNIMIT NDËRMJET ZYRËS RREGULLATORE PËR UJË DHE MBETURINA (ZRRUM) DHE ENTIT RREGULLATOR TË UJIT (ERRU) TË SHQIPËRSË - PN2/09 Datë: 15/04/2009


21.12.2010

Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Zyrës Rregullatore për Ujë dhe Mbeturina (ZRRUM) dhe Entit Rregullator të Ujit (ERRU) të Shqipërsë

 

Sot në Prishtinë u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Zyrës Rregullatore për Ujë dhe Mbeturina(ZRRUM) dhe Entit Rregullator të Ujit (ERRU) të Shqipërisë. Nënshkrimi i kësaj Marrëveshje të Bashkëpunimit u bë nga ana e Kryetarit të Komisionit të ERRU zt. Avni Dervishi dhe Drejtori i ZRRUM zt. Afrim Lajçi.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe përfaqësuesit e lartë të Republikës së Shqipërisë: Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë zt. Islam Lauka, Ministri i Mjedisit i Republikës së Shqipërisë zt. Lufter Xhuveli, Këshillëtarja e Kryeministrit të Shqipërisë znj. Enkelejda Gjinali. Nga ana e Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në ceremoni morrën pjesë: Ministri i Mjedisit i Republikës së Kosovës zt. Mahir Jagcillar, Udhëheqësi i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike pranë MEF zt. Ramadan Avdiu, Zv. Drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik znj. Selvete Krasniqi, Kryetari i Bordit të SHUKOS-it zt. Skender Bublaku etj.

Nënshkrimi i kësaj Marrëveshje të Bashkëpunimit, duke krijuar një kornizë formale të bashkëpunimit, ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërmjet ZRRUM dhe ERRU në fushën e rregullimit ekonomik të shërbimeve të ujit në çështjet që janë me interes dhe dobi për të dy këto institucione.
Afrim Lajçi, drejtor i ZRRUM, në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast theksoi se nënshkrimi i kësaj Marrëveshje të Bashkëpunimit reflekton frymën e përgjithshme të bashkëpunimit që është krijuar ndërmjet dy vendeve tona gjatë kësaj periudhe prej çlirimit të Kosovës në vitin ’99 dhe në veçanti pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin e kaluar.
Poashtu në fjalën e tij zt. Lajçi sqaroi se fushat si dhe format specifike te bashkëpunimit do të dakordohen nga të dyja palët, dhe ato do të përfshijnë pa kufizim të gjitha aspektet e punës si: çështjet që kanë të bëjnë me legjislacionin dhe aspektet e licencimit, politikat rregullatore, pastaj parimet dhe metodologjitë e përcaktimit të tarifave, monitorimin e performancës së kompanive të ujësjellës-kanalizimeve, mbrojtjen e interesave të konsumatorëve etj. Ndërkaq sa i përket ngritjes së kapaciteve profesionale të stafit të ZRRUM dhe ERRU, bashkëpunimi do të konsistojë në: pjesëmarrje aktive në projekte që zhvillon pala tjetër, pastaj pjesëmarrje në trajnime që organizon pala tjetër, pjesëmarrje në workshope, seminare apo konferenca që organizon njëri apo tjetri rregullator apo të dy bashkërisht.

“Një frymë të këtillë të bashkëpunimit ne jemi dakorduar ta promovojmë edhe me vendet tjera të regjionit dhe më gjerë. Në këtë sens, ZRRUM ka paraparë që në muajin maj ta organizojë një punëtori të përbashkët me përfaqësuesit e Maqedonisë dhe Shqipërisë në të cilën do ta diskutojë performansën e kompanive të ujësjellësit dhe kanalizimit në secilin prej këtyre vendeve si dhe do ta iniciojë idenë e një ‘benchmarking’-u regjional” theksoi zt. Lajçi në fjalën e tij.
Zt. Avni Dervishi, Kryetar i ERRU, në fjalën e tij ndër të tjera theksoi:

“Nëpërmjet kësaj marrëveshje të dy institucionet inicjojnë bashkëpunimin dhe interesin e ndërjsellë në fushën e rregullimit të shërbimeve të furnizimit me ujë dhe ujëra të zeza, në bazë të barazisë dhe përfitimive reciproke. Ndër të tjera ky bashkëpunim synon në drejtim të shkëmbimit të informacioneve dhe njohurive respektive sektoriale, ngirtje te kapaciteteve dhe stafeve perkatese, ne aspekt të bashkëpunimit në kuadër të organizatave dhe organizmave rajonale dhe ndërkombëtare në fushën rregullatore të sektorit të ujrave, etj.

Do të dëshiroja që të shprehja në emër të institucionit që drejtoj, që nga ana jonë do të bëhen të gjitha përpjekjet maksimale në përmbushje të frymës, detyrimeve dhe marrëdhënieve që obligon ky memorandum.

Duke konstatuar gjithashtu të njëjtën këmbëngulje dhe predispozicion nga ana e palës kosovare gjykoj që jemi në një terren shumë të mirë për implementimin sa më mirë të këtij memorandumi”.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Kosovës, Mahir Yagcilar, ka shprehur që kjo marrëveshje të jetë një udhëkryq i forcimit të bashkëpunimit jo vetëm në mes këtyre dy institucioneve, por edhe më gjërë.

Edhe Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave të Shqipërise, zt. Lufter Xhuveli e e nënvizoi mbështetjen e tij dhe Qeverisë së Shqipërisë për bashkëpunimin e e në fushën e mjedisit dhe në veçanti në sektorin e ujërave duke pohuar se të dy vendet tona kemi shumë për të mësuar nga njëri shtet tek tjetri në të gjitha fushat pa përjashtim.