ARRU logo
2405 - Lajmi_ | Autoriteti rregullator per sherbimet e ujit

Publikimet

AUTORITETI RREGULLATOR PËR SHËRBIMET E UJIT (ARRU) RIPËRTËRINË LICENCAT E SHËRBIMEVE TË KOMPANIVE RAJONALE TË UJIT DHE KOMPANISË SË UJIT ME SHUMICË NË KOSOVË


25.09.2018

Autoriteti Rregullatorë për Shërbimet e Ujit (ARRU), në pajtim me mandatin e vet ligjor të bazuar në Ligjin Nr. 05/L-042 i përtëriu licencat e shërbimeve për:

• KRU ‘Prishtina’ sh.a., Prishtinë
• KRU ‘Hidrodrini’ sh.a., Pejë
• KRU ’Gjakova’ sh.a., Gjakovë
• KRU ‘Bifurkacioni’ sh.a., Ferizaj
• KRU ‘Hidromorava’ sh.a., Gjilan
• KRU ‘Mitrovica’ sh.a., Mitrovicë
• KRU ‘Hidroregjioni Jugor’ sh.a.,Prizren
• Ndërmarrja Hidro-Ekonomike ‘Ibër-Lepenci’ sh.a., Prishtinë.

Zv. Drejtori i ARRU, Z. Xhelal Selmani ju dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve dhe i falënderoi për bashkëpunim gjatë procesit të përtritjes së Licencave duke mos lënë anash dhe falenderimin ndaj Projektit Zviceran për mbështetjen e dhënë. 

 “Licencimi i kompanive të ujit është një ndër funksionet më të rëndësishme të procesit rregullator të cilin e zbaton ARRU, për faktin se me licencim veprimtaria e këtyre kompanive vendoset në suaza të rregullimit ligjor, duke iu nënshtruar kushteve dhe standardeve të përcaktuara me kornizën rregullatore. Pas shqyrtimit të aplikacioneve dhe gjithë dokumentacionit të kërkuar ARRU ka vendosur për të ripërtëritur licencat për shtatë KRU-të dhe N.H. ‘Iber Lepenci’ duke filluar nga data 25. 09. 2018 deri në datën 10.09.2026. ARRU në vazhdimësi do të monitorijë zbatimin e kushteve të Licencës me theks të veçant Lejet Ujore” shtoi Z. Selmani.

Ai gjithashtu tha se ARRU do të vazhdojë bashkëpunimin për të përmbushur rolin e vet për rregullimin ekonomik të shërbimeve të ujit, mbrojtjen e interesave të konsumatorëve duke siguruar që kompanitë të ofrojnë shërbime cilësore, efiçente dhe të sigurta për tërë konsumatorët, pa lënë pas edhe kujdesin për qëndrueshmërinë financiare të kompanive.

 “Ndërtimi i besimit të konsumatorëve në kompanitë publike të cilat ofrojnë shërbimet e ujit është hapi kryesor i cili kërkon kohë dhe mund për tu arritur, prandaj bashkëpunimi juaj si ofrues të këtyre shërbimeve është i domosdoshëm’ shtoi z. Selmani.

Ne emër te Bordit te Drejtorëve të SHUKOS fjala iu dha Z. Muhamed Suliqi, i cili njëherit është Kryeshef Ekzekutiv i KRU ‘Hidromorava’.  Ai fillimisht përgëzoi dhe falënderoi ARRU për punën që është bë.

“Në emër të SHUKOS dhe 7 KRU-ve falënderoj ARRU për përkrahjen e vazhdueshme që na e kanë dhënë dhe angazhimin me MMPH që ka qenë një ndihmesë shumë e madhe për të gjithë ne. Padyshim se bashkëpunimi do të vazhdojë dhe bashkërisht do ti arrijmë të I rregullojmë edhe më shumë shërbimet e KRU-ve ndaj konsumatorëve” tha z. Suliqi.

Në fund të takimit Z. Selmani i falënderoi edhe njëherë të pranishmit duke ju uruar suksese të mëtejme dhe duke siguruar se gjithmonë do të kenë përkrahjen dhe mbështetjen e pakursyer të ARRU.

  Të dhënat tjera për Licencim, mund ti gjeni në ueb faqen tonë: www.arru-rks.org