ARRU logo
1936 - Lajmi_ | Autoriteti rregullator per sherbimet e ujit

Publikimet

10 VJETORI I THEMELIMIT TË ZRRUK, SI DHE PUBLIKIMI I RAPORTIT VJETOR TË PERFORMANCËS PËR VITIN 2013, PËR SHTATË KOMPANITË RAJONALE TË UJËSJELLËSIT


19.12.2014

Sot në Prishtinë, në një takim ceremonial, Zyra Rregullatorë për Ujësjellës dhe Kanalizim (ZRRUK), shënoi 10 vjetorin e themelimit të saj, si dhe publikisht prezantoi, rezultatet e vlerësimit të performancës së 7 Kompanive Rajonale te Ujësjellësve (KRU). Me këtë rast po ashtu eshte bere publikimi i Raportit te tete Vjetor të Performancës. për kompanitë e furnizimit me Ujësjellës dhe Kanalizim, si dhe Shitjes së Ujit me Shumicë në Kosovë për vitin 2013.

Drejtori I ZRRUK, Z. Preteni, theksoi se Zyra Rregullatore për Ujësjellës dhe Mbeturina si autoritet përgjegjës për rregullimin ekonomik të ndërmarrjeve publike të ujit dhe mbeturinave është themeluar në nëntor të vitit 2004 (përmes Rregullores 2004/49) në kuadër të reformave të ndërmarra nga institucionet vendore (2003-2008), për të reformuar sektorët e këtyre shërbimeve. Qellim kryesore i instalimit të rregullatives ekonomike përveç tjerash ka qenë edhe krijimi i ndërmarrjeve të qëndrueshme financiarisht, ngritja e llogaridhënies dhe transparencës, si dhe ngritjen e efiçencës përmes zbatimit efektiv të mbikëqyrjes rregullatore.

“Gjatë këtyre 10 viteve të funksionimit, Zyra Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim ka arritur të faktorizohet tërësisht në sektorin e shërbimeve të ujit. Zbatueshmëria efektive e përgjegjësive institucionale nga ana e saj, ka bërë që ky institucion të jetë shtylla kryesore e zhvillimit të KRU dhe sektorit të shërbimeve të ujit në përgjithësi” potencoi Z. Preteni.

ZRRUK gjatë kësaj periudhe të funksionimit ka siguruar mbështetjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm si nga Ofruesve e Shërbimeve, Institucioneve vendore e sidomos te Agjencioneve zhvillimore ndërkombëtare te angazhuar ne vendit tone. Prandaj në shenjë mirënjohje per kontributin dhe përkrahjen, me rastin e 10 vjetorit të themelimit të ZRRUK, u ndanë mirënjohje për:

  • Z. Afrim Lajçi, për Kontributin e dhënë në themelimin dhe zhvillimin institucional të Zyrës Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim.

  • Zyrës për Bashkimin Evropian, për mbështetjen dhe forcimin institucional ndaj ZRRUK.

  • Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO), për mbështetjen dhe forcimin institucional ndaj ZRRUK.

  • Entit Rregullator të Ujit nga Shqipëria (ERRU), për bashkëpunim të palodhshëm ndërinstitucional në fushën e rregullimit të shërbimeve të furnizimit me ujë.

  • KRU-ve, për bashkëpunim dhe përkrahje.

Ne pjesën e dytë të këtij takimi është prezantuar një përmbledhje e shkurtër e performancës së sektorit te shërbimeve të ujit për periudhën (2009-2013), si dhe performancës individuale te shtatë KRU-ve në vitin 2013/2012. Sa i përket sektorit te shërbimeve të ujit u tha se ai në përgjithësi është më i përmirësuar në vitin 2013 në krahasim me vitin 2009 por ende është larg nivelit të dëshiruar dhe të synuar. Përderisa efiçenca e faturimit dhe arkëtimit ka shënuar përmirësime graduale, trendet përmirësuese më evidente janë shënuar tek mbulueshmëria me shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit. Po ashtu edhe shpenzimet për investime kapitale në sektorin e shërbimeve te furnizimit me ujë dhe shërbime të kanalizimit vit pas viti kane shënuar rritje. Sfiduese edhe më tej mbetet reduktimi I Ujit te pa Faturuar (UPF) I cili aktualisht është në nivele të larta, ndonëse në dy vitet e fundit është shënuar pak përmirësim. Performanca e përgjithshme individuale për shumicën e KRU në vitin 2013, ka qene më e ulët se sa në vitin e kaluar (2012). Përkeqësim është shënuar ne shërbimin e furnizimit me ujë dhe shërbime të kanalizimit. Furnizimi I rregullt me ujë dhe efiçenca financiare mbeten fushat më sfiduese për shumicën e KRU.

Z. Preteni, duke përgëzuar kompanitë të cilat kanë treguar përmirësim të performancës së tyre gjatë vitit 2013, tha ”Edhe përkundër arritjes së përmirësimit të performancës së kompanive për gjatë viteve, jemi të vetëdijshëm se ka akoma shumë punë për tu bëre në përmirësimin e disa prej treguesve të performancës, prandaj ne i inkurajojmë ofruesit e shërbimeve të përqendrohen në përmirësimin e treguesve më të ndjeshëm siç janë ngritja e faturimit dhe arkëtimit, reduktimi i ujit të pa faturuar, ngritja e shërbimeve në raportin e marrëdhënieve me konsumatorë etj.”. Njëherësh ai shfrytëzoj rastin që tu sugjeroj të gjitha palëve të interesit në këtë sektor që ti shfrytëzojnë dhe përdorin të dhënat e Raportit te performancës, si informacione shumë të vlefshme dhe pikë referimi për përmirësimin e vazhdueshëm të performancës së shërbimeve të ujit dhe kanalizimeve, si dhe për të ndihmuar politikat e ardhshme të lidhura me planifikimet në sektorin e shërbimeve të ujit në Kosovë.

Këtë vit, dy çmimet: Performanca më e mirë gjatë vitit 2013, si dhe përmirësimet më të mëdha te performancës në vitin 2013 krahasuar me vitin 2012, iu ndanë KRU ‘Radoniqi’ Sh.A. Gjakovë.

Të dhënat tjera për Raportin e Performancës të vitit 2013, mund ti gjeni në ueb faqen tonë; www.wwro-ks.org