ARRU logo
1957 - Lajmi_ | Autoriteti rregullator per sherbimet e ujit

Publikimet

NDARJA E ÇMIMEVE PËR PERFORMANCËNE E KOMPANIVE PUBLIKE TË UJËSJELLËSIT DHE MBETURINAVE


21.12.2010

NDARJA E ÇMIMEVE PËR PERFORMANCËN E KOMPANIVE PUBLIKE TË UJËSJELLËSIT DHE MBETURINAVE

“Me qëllim të promovimit të vlerave dhe standardeve më të larta të punës si dhe me qëllim të ngritjes së efiçencës në punën e kompanive publike të ujësjellësit dhe mbeturinave, e që ka për qëllim final ngritjen e cilësisë së shërbimeve që u ofrohen popullatës në Kosovë nga kompanitë publike të ujësjellësit dhe mbeturinave,

Zyra Rregullatore për Ujë dhe Mbeturina (ZRRUM), si autoritet i pavarur rregullator i kompanive publike që ofrojnë shërbimet e ujësjellësit dhe mbeturinave në Kosovë, sivjet për herë të parë në bashkëpunim edhe me institucionet tjera relevante (MMPH, IKSHP, donatorët) ndan çmimet për performancën më të mirë të demonstruar nga kompanitë publike të ujësjellësit dhe mbeturinave në Kosovë në 2007”, tha me rastin e ceremonisë së ndarjes së çmimeve Afrim Lajçi, drejtor i ZRRUM.

Duke u bazuar në treguesit e punës të monitoruar dhe vlerësuar në pajtim me mandatin e vet, ZRRUM për performancën e treguar në vitin 2007 ndan çmimet vijuese:

• Në sektorin e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit:

o Çmimin për performancën më të mirë të përgjithshme në vitin 2007:
Kompania Rajonale e Ujësjellësit – HIDROSISTEMI RADONIQI Sh.A, Gakovë
o Çmimin për progresin më të madh të arritur në periudhën 2006-2007:
Kompania Rajonale e Ujësjellësit – HIDROREGJIONI JUGOR Sh.A, Prizren
o Çmimin për kompaninë që ka demonstruar përgjegjësinë më të lartë në bashkëpunim me institucionet dhe palët e interesit: Kompania Ujësjellësi Rajonal – PRISHTINA Sh.A, Prishtinë.

• Në sektorin e shërbimeve të mbeturinave:

o Çmimin për performancën më të mirë të përgjithshme në vitin 2007:
Kompania Rajonale e Mbeturinave – UNITETI Sh.A, Mitrovicë
o Çmimin për progresin më të madh të arritur në periudhën 2006-2007:
Kompania Rajonale e Mbeturinave – UNITETI Sh.A, Mitrovicë
o Çmimin për kompaninë që ka demonstruar përgjegjësinë më të lartë në bashkëpunim me institucionet dhe palët e interesit: Kompania Rajonale e Mbeturinave – HIGJIENA Sh.A, Gjilan.

Sivjet, për herë të dytë, ZRRUM ka publikuar raportin vjetor të performancës së 16 kompanive të licencuara që janë objekt i rregullativës që e zbaton ZRRUM. Ky raport jep një pasqyrë të përgjithshme për performancën financiare, operative dhe të nivelit të shërbimeve ndaj konsumatorëve të kompanive regjionale të ujësjellësit dhe mbeturinave në vitin 2007. Përveq kësaj në raport krahasohet performanca e kompanive me njëra tjetrën si dhe perfomanca e kompanive gjatë kohës. Ky është proces i ashtuquajtur “benchmarking” apo konkurrencë përmes krahasimit dhe përmes kësaj forme pretendohet të stimulohet përmirësimi i performancës së kompanive në kushtet e shërbimeve me karakter monopoli siq janë shërbimet e ujësjellësit (dhe për momentin edhe shërbimet e mbeturinave).

Publikimi i këtij raporti nënkupton se konsumatorët mund të shohin se sa mirë apo keq furnizuesi i tyre ka operuar gjatë vitit dhe si krahasohet ofruesi i tyre i shërbimeve me kompanitë e tjera në Kosovë. Në vitet e ardhshme, ata do të jenë të njoftuar me atë nëse furnizuesi i tyre është përmirësuar apo jo.

“Në Raportin Vjetor të Performancës për Vitin 2007 të cilin ZRRUM e ka publikuar në korrik të këtij viti, kemi konstatuar se në përgjithësi sektori i ujësjellësit dhe mbeturinave kanë shënuar një progres në krahasim me vitin 2006. Ky progres shihet në pothuajse të gjitha parametrat apo treguesit kyq të performancës në bazë të cilëve ZRRUM e matë dhe e vlerëson punën e kompanive të licencuara. Megjithatë duhet kohë dhe angazhim i koordinuar i të gjithë akterëve relevant për të krijuar një sektor të qëndrueshëm të ujësjellësit dhe mbeturinave”, tha me këtë rast drejtori i ZRRUM Afrim Lajçi.

“Dy fushat kryesore që mbeten shumë problematike janë: shkalla shumë e ulët e inkasimit të borxheve (61% te kompanitë e ujësjellësit ndërkaq 71% te kompanitë e mbeturinave) dhe shkalla shumë e lartë e humbjeve të ujit në rastin e kompanive të ujësjellësit (58%). Pa përmirësime substanciale në këto 2 fusha, absolutisht nuk mund të bëhet fjalë për një progres të mirëfilltë në sektorin e shërbimeve publike të ujësjellësit dhe mbeturinave.”

”Performanca e dobët e kompanive në inkasimin e borxheve dhe në reduktimin e humbjeve ndikon në qëndrueshmërinë e tyre financiare dhe rrjedhimisht edhe në aftësinë për tu ofruar konsumatorëve shërbime të kualitetit më të mirë. Përderisa kompanitë nuk i adresojnë këto dy çështje si prioritet kryesor ato nuk do të jenë në gjendje të ndërmarrin investime kapitale të domosdoshme për sektorin e shërbimeve të ujit.

“Me rëndësi esenciale është poashtu edhe mbështetja institucionale sidomos në fushën e sundimit të ligjit (pra në rastet e kyçjeve ilegale, mospagesën e faturave, shkyqjen për mos-pagesë, ngritjen e moralit dhe vetdijes për pagesën e obligimeve etj.), por edhe në fushat si subvencionimi i pagesës për atë kategori të konsumatorëve të cilat nuk kanë mundësi të paguajnë (rastet sociale, invalidët dhe familjet e dëshmorëve etj., sikurse që veprohet me faturat e energjisë elektrike).

“ZRRUM është aktualisht në procesin e përcaktimit të tarifave të shërbimit për periudhën e ardhshme, dhe sipas vlerësimeve preliminare është evidente se duhet që të ketë një ngritje të tarifave për t`iu mundësuar kompanive mbulimin e kostove të operimit dhe për t`iu mundësuar poashtu investimet kapitale të cilat janë të domosdoshme për të mbajtur dhe avancuar nivelin e shërbimeve. Gjatë tri viteve të fundit nuk ka pasur ngritje të tarifave të ujit dhe mbeturinave edhepse në ndërkohë janë ngritur çmimet e energjisë elektrike, çmimet e karburanteve, dhe çmimet tjera që kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në kostot e kompanive të ujësjellësit dhe mbeturinave. Prandaj, është në interes të ngritjes së cilësisë së shërbimeve që kompanitë të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për të bërë investimet e nevojshme në sistemin e ujësjellësit dhe në mekanizimin e tyre. E kjo arrihet vetëm nëse tarifat janë adekuate dhe nëse konsumatorët paguajnë faturat e tyre.

Disa të dhëna për ZRRUM-in:

1. ZRRUM-i është rregullator i pavarur ekonomik që është përgjegjës për mbikëqyrjen e aktiviteteve të kompanive publike që ofrojnë shërbimet e ujësjellësit dhe mbeturinave. Është themeluar në nëntor të vitit 2004 me anë të Rregullores së UNMIK-ut Nr. 2004/49 e cila është amendamentuar me Ligjin Nr. 03/L-086 të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës më 13 qershor 2008. Qëllimi i tij primar është të mbrojë interesat e konsumatorëve dhe të sigurojë që ofruesitë e shërbimeve nuk i keqpërdorin pozitat e tyre të monopolit dhe që ofrojnë standard të arsyehsëm të shërbimeve me çmime të volitshme.

2. Përgjegjësitë kryesore të ZRRUM-it janë:

• Lëshimi i licencave operative ofruesve të shërbimeve të ujësjellësit dhe mbeturinave.
• Përcaktimi i tarifave për shërbimet e ujësjellësit dhe mbeturinave në nivelin që u mundësojnë kompanive të financojnë aktivitetet e tyre dhe të përmirësojnë shërbimet e tyre me kusht të operimit efiçent. Këto tarifa duhet të jenë të drejta dhe ta marrin parasysh mundësinë paguese të konsumatorëve.
• Monitorimi dhe raportimi i performancës së ofruesve të shërbimeve.
• Themelimi dhe përkrahja e Komisioneve regjionale Këshilluese të Konsumatorëve.
• Sigurimi që shërbimet plotësojnë standardet e pranueshme.


PYETJET PËR: XXX (përfshirë numrin, email adresën dhe web-faqën)