ARRU logo
1958 - Lajmi_ | Autoriteti rregullator per sherbimet e ujit

Publikimet

NGRITJA E TARIFAVE PËR SHËRBIMET E UJËSJELLËSIT DHE KANALIZIMIT E DOMOSDOSHME PËR NGRITJEN E CILËSISË SË KËTYRE SHËRBIMEVE THOTË RREGULLATORI I UJIT- PN1/09 Datë 14/01/2009


21.12.2010

NGRITJA E TARIFAVE PËR SHËRBIMET E UJËSJELLËSIT DHE KANALIZIMIT
E DOMOSDOSHME PËR NGRITJEN E CILËSISË SË KËTYRE SHËRBIMEVE
THOTË RREGULLATORI I UJIT

Në pajtim me mandatin ligjor që ka, Zyra Rregullatore për Ujë dhe Mbeturina (ZRRUM) ka përcaktuar tarifat e reja për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit që do tu faturohen konsumatorëve duke filluar nga 1 janari 2009.

Afrim Lajçi, drejtor i ZRRUM, duke folur në këtë temë sot në Prishtinë, tha:

“Përcaktimit të tarifave të reja i ka paraprirë një proces i gjatë dhe gjithëpërfshirës që është zhvilluar gjatë gjithë vitit 2008, në të cilin proces janë analizuar parametrat operativ dhe financiar të shtatë kompanive regjionale publike të ujësjellësit të parashtuara në kërkesat e tyre tarifore.

“Me rastin e aprovimit të tarifave të reja ZRRUM ka marrë parasysh aspektet vijuese:

• Kërkesën për të hyra të nevojshme për mbulimin e kostove të kompanive të ujësjellësit me kusht të operimit efiçent;
• Përballueshmërinë e tarifave të reja nga konsumatorët;
• Stimulimin e investimeve kapitale të nevojshme për ngritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve;

“Tarifat e reja do të jenë në fuqi për një periudhë 3-vjeqare dhe do të jenë më të larta krahasuar me tarifat e mëparshme. Kjo ngritje e tarifave është vlerësuar si e absolutisht e domosdoshme për t`iu mundësuar kompanive gjenerimin e të hyrave të nevojshme për mbulimin e kostove të tyre dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve.

Z. Lajçi mëtutje tha se kjo ngritje e tarifave është e para në tri vitet e fundit (tarifat e ujit janë ngritur për herë të fundit në fillim të vitit 2006) edhepse në ndërkohë janë ngritur çmimet e mallërave tjera dhe tarifat e energjisë eletrike të cilat kanë ndikim të dretjëpërdrejtë dhe të konsiderueshëm në koston e ofrimit të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

“Tarifat fikse kanë mbetur të pandryshuara (1,0 EUR/muaj për konsumatorët shtëpiak, dhe 3.0 EUR/muaj për konsumatorët komercial dhe institucional), ndërkaq tarifat volumetrike janë ngritur në mënyrë të shkallëzuar për periudhën e ardhshme trivjeqare. Ngritja e tarifave volumetrike është bërë në një masë relativisht të vogël dhe ka marrë parasysh rrethanat ekonomiko-sociale në Kosovë respektivisht mundësitë paguese të familjeve kosovare.

“Konkretisht, për kategorinë e konsumatorëve shtëpiak tarifat volumetrike (për sasinë e ujit të konsumuar) janë ngritur si vijon:

• Për vitin 2009 është aprovuar një ngritje mesatare e tarifave prej 10%. Ngritja më e madhe është aprovuar për kompaninë regjionale të ujësjellësit Hidromorava-Gjilan në lartësi 16.6 %, ndërkaq ngritja më vogël për kompaninë regjionale të ujësjellësit Hidrodrini-Pejë në masën 4.7%.
• Për vitin 2010 ngritja është edhe më e vogël dhe sillet në kufinjtë 2.8% (në rastin e kompanisë regjionale Hidromorava-Gjilan) deri në 9% (për kompaninë regjionale Prishtina);
• Për vitin 2011 është aprovuar një ngritje e ngjajshme me vitin 2010 që sillet prej 2.8% (në rastin e kompanisë regjionale Hidromorava-Gjilan) deri në 10.7 % (në rastin e kompanisë regjionale Hidroregjioni-Prizren).

Z. Lajçi theksoi se në terma reale kjo ngritje e tarifave është relativisht e vogël meqenëse bëhet fjalë për një ngritje prej 1 deri 5 cent për një metër kub të ujit të konsumuar.

“Në bazë të analizave të bëra nga ZRRUM nuk pritet që tarifat e reja të paraqesin “goditje” të madhe për buxhetin e familjeve kosovare. Kjo për faktin se me këtë ngritje faturat e reja do të jenë më të larta për 20 cent në muaj (në rastin e Pejës) deri në 1 euro në muaj (në rastin e Gjilanit). Edhe sipas standardeve ndërkombëtarisht të njohura sa i përket përballueshmërisë së tarifave të ujit, tarifat e aprovuara janë dukshëm nën kufirin e përballueshmërisë për familjet kosovare.

“Është me rëndësi të theksohet se me aprovimin e tarifave të reja janë parapa të ndërmirren investime të konsiderueshme nga të gjitha kompanitë e ujësjellësit, investime këto që janë të domosdoshme në sistemet e ujësjellësit dhe kanalizimit dhe të cilat do të mundësojnë shërbime më cilësore për konsumatorët. Realizmin e këtyre investimeve ZRRUM do ta monitorojë në bashkëpunim me institucionet relevante.

“Poashtu, bashkë me aprovimin e tarifave të reja, ZRRUM ka përcaktuar objektiva shumë sfiduese për kompanitë e ujësjellësit në kuptim të përmirësimit të performancës së tyre operative dhe financiare gjatë periudhës së ardhsme trevjeçare. Kjo para së gjithash ka të bëjë me ngritjen e shkallës së inkasimit (nga 60% sa është aktualisht në 80 % në fund të vitit 2011) dhe në reduktimin e humbjeve të ujit (nga 57% sa janë aktualisht në rreth 40% në fund të vitit 2011).

“Prandaj aprovimi i tarifave të reja, i përcjellur me përcaktimin e objektivave ambicioze dhe me stimulimin e investimeve kapitale, në afat të gjatë është në interes të konsumatorëve dhe në funksion të mbrojtjes së interesave të tyre. Kjo për faktin se kjo është mënyra e vetme për ngritjen e qëndrueshmërisë financiare të kompanive të ujësjellësit që është parakusht fundamental për shërbime cilësore dhe të sigurta të ujësjellësit dhe kanalizimit” theksoi z. Lajçi.

Dhe në përfundim z. Lajçi theksoi se procesi i aprovimit të tarifave të reja është zhvilluar në konsultim të ngushtë me Komisionet Këshilluese të Konsumatorëve, ashtu siq parashihet me ligj. Këto Komisione janë trupa të themeluar në 7 regjionet e Kosovës ku ofrojnë shërbimet e veta kompanitë regjionale të ujësjellësit dhe kanalaizimit dhe të njëjtat përbëhen nga përfaqësuesit e të gjitha komunave të Kosovës të cilët përfaqësojnë interesat e të gjitha kategorive të konsumatorëve.
Shënime për ZRRUM

1. ZRRUM është rregullator i pavarur ekonomik që ka përgjegjësi ligjore të mbikqyrë aktivitetet e ofruesve të shërbimeve të ujësjellësit, kanalzimit dhe mbeturinave. ZRRUM është themeluar në vitin 2004 me Rregulloren 2004/49 dhe aktualisht funksionon në bazë të Ligjit Nr. 03/L-086 të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës më 13 qershor 2008.

Roli primar i ZRRUM është të mbrojë interesat e konsumatorëve. Ai përkujdeset që kompanitë publike të licencuara për ofrimin e shërbimeve të ujësjellësit dhe mbeturinave të mos abuzojnë me pozitën e monopolit që kanë dhe që këto kompani ofrojnë standard të arësyeshëm të shërbimit me çmim të drejtë.


2. Përgjegjësitë kryesore të ZRRUM përfshijnë:

• Licencimi i kompanive publike të ujësjellësit dhe mbeturinave
• Përcaktimi i tarifave për shërbimet e ujësjellësit, kanalizimit dhe mbeturinave të cilat iu mundësojnë kompanive financimin e veprimatrisë së tyre dhe përmirësojnë cilësinë e shërbimeve por që njëkohësisht janë të drejta dhe të përballueshme për konsumatorët
• Monitorimin e performancës së kompanive të ujësjellësit dhe mbeturinave dhe raportimi public për këtë performance;
• Themelimi dhe mbështetja e Komisioneve Këshillues të Konsumatorëve
• Përkujdesja që shërbimet janë në nivel të akceptueshëm


Detajet kontaktuese:

Adresa: Rr. Ferat Dragaj, 68 Prishtinë

Tel: (038) 249 165 ext. 101
e-mail: lule.gjonbalaj@wwro-ks.org
web: www.wwro-ks.org