19.05.2022
Më 18 maj 2022 në një ceremoni të organizuar nga Enti Rregullator i Ujit të Shqipërisë, krerët e rregullatorëve ekonomikë të sektorit të ujit në Ballkanin perëndimor, ai i Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, nënshkruan Marrëveshjen e parë të Bashkëpunimit, përmes të cilës adresohen sfidat e përbashkëta në fushën e ujësjellës kanalizimeve, avancimin e implementimit të legjislacionit të BE-së për ujërat dhe vendosjen e themeleve për një program bashkëpunimi rajonal.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në prani të zëvendësministres së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, znj. Enkelejda Muçaj dhe presidentit të Shoqatës Evropiane të Rregullatorëve të Ujit (WAREG, z. Andrea Guerrini.
Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i ERRU Z. Ndriçim Shani deklaroi se kjo është dita kur katër rregullatorët ballkanikë mblidhen në një tryezë, duke theksuar se bashkëpunimi midis tyre daton më herët përmes marrëveshjeve dypalëshe, por që me kalimin e kohës lindi nevoja për ta çuar në një shkallë më lart këtë marrëdhënie midis shteteve, të cilët krahas elementëve të përbashkët kanë edhe diferenca në sektorin e ujit. “Në rajonin tonë ekzistojnë ngjashmëri dhe faktorë të përbashkët që i karakterizojnë rregullatorët kufitarë me njëri-tjetrin, si: mentaliteti, shkalla e zhvillimit, modeli i qeverisjes së sektorit të ujit, dimensionet e zonave të shërbimit dhe popullsisë të mbuluara me shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Por të gjitha kanë një mision të përbashkët: përmirësimi i performancës e qëndrueshmërisë financiare të sektorit, si dhe garancia që shoqëritë UK në një ambient monopol t’u ofrojnë konsumatorëve shërbime me cilësi të lartë dhe larg abuzimeve me tarifa të pajustifikuara”.
Znj. Morina-Drejtoreshë e ARRU, fillimisht falënderoi z. Shani për iniciativën dhe organizimin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis katër shteteve, duke theksuar se ky dokument shënon një moment historik të një rëndësie të veçantë për forcimin e bashkëpunimit me përfitime ekonomike dhe mjedisore. “Sektori i ujit në Kosovë edhe përkundër disa zhvillimeve pozitive, ka ende shume sfida përpara, të cilat sfida janë pothuajse të ngjashme në të katër rregullatorët ekonomik që ne përfaqësojmë. Fillimi i këtij bashkëpunimi do të ndihmon në shkëmbimin e të dhënave dhe informacionit, shkëmbimin e njohurive dhe si rrjedhoje gjetjen e strategjive të përbashkëta të menaxhimit. Veçanërisht përballja ndaj ndryshimeve klimatike kërkon përpjekje dhe bashkëpunim të zgjeruar për të përballuar sfidat globale në nivele të ndryshme dhe përtej kufijve. Kjo Marrëveshje do të na lehtëson dhe obligon që të punojmë së bashku drejt një qëllimi të përbashkët të zhvillimit të sektorit të ujit në mënyrë që të kemi dobi reciproke. Rregullatori i Kosovës është i gatshëm të kontribuoj ne ndërtimin dhe fuqizimin e këtij bashkëpunimi”.
Në emër të WAREG, shoqatë kjo në të cilën janë të anëtarësuar të katër rregullatorët, presidenti z.Andrea Guerrini garantoi ofrimin e ekspertizës teknike dhe mbështetjen institucionale në favor të bashkëpunimit rajonal të rregullatorëve në sfidat vendimtare që janë identifikuar dhe në përfarimin me standartet e BE-së. “Ky memorandum është një shprehje e vullnetit të rregullatorëve të pavarur në shkëmbimin e njohurive dhe eksperiencave. Ju po tregoni sot një angazhim thelbësor në adresimin e sfidave konkrete në sektorin e ujit si: sigurimi i një cilësie të mirë shërbimi, veprimet në kontekstin e ndryshimeve klimatike dhe krizës energjetike, si dhe mbushja e boshllëqeve nga mungesa e një legjislacioni të njëjtë me atë europian”, theksoi Guerrini në fjalën përballë krerëve të rregullatorëve të ujit, duke lënë derë të hapur WAREG në ndihmë të zbatimit të këtij memorandumi, si shkmëbimi i të dhënave dhe informacioneve, metodologji e praktika menaxheriale në sektorin e ujit.
Në ceremoninë e organizuar nga ERRU përjashtim përfaqësuesve nga katër shtete e rajonit, morën pjesë dhe përfaqësues nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve dhe shoqatës Evropiane të Rregullatorëve të Ujit, Shoqatës së Ujësjellës Kanalizimeve në Shqipëri e të tjerë.