Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) ka publikuar Raportin e Performancës së Ofruesve të Shërbimeve të Ujit për vitin 2025
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) ka publikuar Raportin Vjetor të Performancës së Ofruesve të Shërbimeve të Ujit për vitin 2025, dokumentin që paraqet një pasqyrë të detajuar të performancës teknike, operative, komerciale dhe financiare të kompanive rajonale të ujësjellësit në Kosovë, si dhe të ndërmarrjes përgjegjëse për furnizimin e ujit me shumicë, NH “Ibër-Lepenci”.
Raporti është rezultat i punës profesionale të ARRU-së në monitorimin, analizimin dhe vlerësimin e performancës së ofruesve të licencuar të shërbimeve të ujit. Përmes treguesve të matshëm dhe krahasimit të rezultateve ndërmjet viteve, ai ofron një bazë të rëndësishme për vlerësimin e progresit të sektorit, identifikimin e fushave që kërkojnë përmirësim dhe orientimin e investimeve drejt rezultateve konkrete për konsumatorët.
Sektori i shërbimeve të ujit ka shënuar rezultate pozitive gjatë vitit 2025, me 99.6% të konsumatorëve shtëpiakë të mbuluar me ujëmatës, duke mundësuar matje më të saktë të konsumit dhe faturim më të drejtë. Po ashtu, shkalla e arkëtimit të të hyrave ka arritur përmirësim në krahasim me caqet e vendosura në proesin tarifor, ndërsa në mbulueshmërinë me shërbimet e kanalizimit sektori ka treguar progres.
Raporti i Performancës për vitin 2025 shërben si një pikë referimi për vlerësimin e progresit të arritur dhe për përcaktimin e prioriteteve të ardhshme, me synimin që përmirësimi i vazhdueshëm i performancës së ofruesve të shërbimeve të reflektohet në shërbime më cilësore, më të besueshme dhe më të qëndrueshme për të gjithë konsumatorët në Kosovë.
Raportin e plotë të Performancës për vitin 2025 mund ta gjeni në uebfaqen zyrtare të ARRU-së:
https://arru-rks.org/performanca/
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU)
