ARRU mori pjesë në Konferencën dhe Ekspozitën e 14-të të Përbashkët Ballkanike, 3–5 nëntor 2026, Prishtinë
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), mori pjesë në Konferencën dhe Ekspozitën e 14-të të Përbashkët Ballkanike, të mbajtur më 3–5 nëntor 2026, në Prishtinë, nën organizimin e SHUKOS dhe SHUKALB. Konferenca, me temën “Uji dhe Mundësi të Barabarta”, mblodhi përfaqësues të institucioneve dhe profesionistë të sektorit të ujit nga rajoni dhe më gjerë, duke trajtuar rëndësinë e zhvillimit të një sektori të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
ARRU u përfaqësua nga menaxhmenti i lartë dhe zyrtarë të institucionit, duke kontribuar në diskutimet dhe shkëmbimin e përvojave profesionale për çështjet me rëndësi strategjike për sektorin e ujit.
Z. Abedin Azizi, Zëvendësdrejtor i ARRU-së, u nderua me çmim e bordit të drejtorëve të SHUKOS, për kontributin e shtuar në rregullimin, zhvillimin dhe avancimin e qëndrueshëm në sektorin e ujit në Kosovë. Gjithashtu, ai ishte pjesë e panelit të diskutimit, ku trajtoi sfidat aktuale dhe perspektivat e zhvillimit të mëtejmë të sektorit të ujit, së bashku me përfaqësues të tjerë të këtij sektori.
Në kuadër të programit profesional të konferencës, z. Vehbi Duraku prezantoi punimin me titull “Zhvlerësimi i aseteve sipas ARRU-së – dallimet nga kontabiliteti konvencional dhe implikimet në caktimin e tarifave”. Përmes këtij prezantimi u trajtua një çështje me rëndësi të veçantë për aspektin ekonomik dhe rregullator të sektorit të ujit, duke vënë në pah qasjen e ARRU-së ndaj vlerësimit dhe zhvlerësimit të aseteve.
ARRU mbetet e përkushtuar në ushtrimin e mandatit të saj rregullator dhe në kontributin e vazhdueshëm për një sektor të ujit më të qëndrueshëm, më transparent dhe me shërbime cilësore për të gjithë konsumatorët.

