AUTORITETI RREGULLATOR PËR SHËRBIMET E UJIT (ARRU) RI-PËRTËRINË LICENCAT E SHËRBIMEVE TË KOMPANIVE RAJONALE TË UJIT DHE KOMPANISË PËR FURNIZIM TË UJIT ME SHUMICË NË KOSOVË

Prishtinë 09.09.2026
AUTORITETI RREGULLATOR PËR SHËRBIMET E UJIT (ARRU) RI-PËRTËRINË LICENCAT E SHËRBIMEVE TË KOMPANIVE RAJONALE TË UJIT DHE KOMPANISË PËR FURNIZIM TË UJIT ME SHUMICË NË KOSOVË
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) në pajtim me mandatin ligjor, të përcaktuar me Ligjin Nr. 05/L-042, ka ri përtërirë Licencat e Shërbimit për shtatë Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) dhe Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenci” sh.a.
Licencat e Shërbimit janë ripërtërirë për periudhë pesëvjeçare prej 11.09.2026 deri më 10.09.2031, dhe në mënyrë solemne Licencat e reja iu janë dorëzuar Kryeshefave Ekzekutiv të:
- KRU “Prishtina” sh.a., Prishtinë;
- KRU “Hidroregjioni Jugor” sh.a., Prizren;
- KRU “Hidrodrini” sh.a., Pejë;
- KRU “Gjakova” sh.a., Gjakovë;
- KRU “Mitrovica” sh.a., Mitrovicë;
- KRU “Bifurkacioni” sh.a., Ferizaj;
- KRU “Hidromorava” sh.a., Gjilan;
- N.H. “Ibër-Lepenci” sh.a., Prishtinë.
Me rastin e ceremonisë së ri-përtëritjes së Licencave të Shërbimit, Zv. Drejtori i ARRU-së, z. Abedin Azizi, i falënderoi të gjitha kompanitë për angazhimin e tyre për ofrimin e shërbimeve të ujit për konsumatorët dhe për bashkëpunim gjatë këtij procesi.
Ai potencoi se: “Licencimi i ofruesve të shërbimit të ujit është një ndër përgjegjësitë funksionale më të rëndësishme të ARRU-së. Përmes këtij procesi, ARRU vlerëson dhe verifikon kapacitetin teknik, financiar dhe menaxherial të ofruesve të shërbimit për të ofruar shërbimet e ujit. Licenca e Shërbimit lidh ofruesin e shërbimeve me detyrime të qarta ligjore dhe rregullatore, përcakton shërbimet e licencuara, zonën e shërbimit dhe kushtet e nën të cilat duhet të operojë. Licenca e shërbimit është përgjegjësi dhe detyrim për JU të ofroni shërbime cilësore, efikase dhe të sigurta për të gjithë konsumatorët tuaj pa dallim, si dhe të kujdeseni për qëndrueshmërinë financiare të kompanive tuaja”.
Në emër të Bordit të Drejtorëve të SHUKOS-it, fjalën e mori z. Arsim Fetahu, Kryeshef Ekzekutiv i KRU “Prishtina”, i cili përgëzoi dhe falënderoi ARRU-në për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme, jo vetëm gjatë këtij procesi të licencimit, por gjatë tërë kohës.
Në përmbyllje të ceremonisë, z. Azizi në mënyrë solemne ua dorëzoi Licencat e Shërbimit Kryeshefave Ekzekutiv të KRU-ve dhe NH Ibër Lepenci. Po ashtu falënderoi të pranishmit dhe u uroi suksese të mëtejshme, duke theksuar se ARRU do të vazhdojë të ofrojë përkrahjen dhe mbështetjen e saj për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve të ujit në Kosovë.

