Autoriteti rregullator për shërbimet e ujit (ARRU) si autoritet i pavarur, është përgjegjës për rregullimin e veprimtarive të ofruesve të shërbimit të ujit Kosovë.
Roli i ARRU është që të sigurojë ofrimin e shërbimeve cilësore, efiçente, dhe të sigurta në baza jo-diskriminuese për tërë konsumatorët në Kosovë, duke pasur parasysh mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit publik.
Autorizimet dhe përgjegjësitë e ARRU përfshijnë:
- Licencimin e ofruesve të shërbimeve dhe mbikëqyrjen e zbatimit të kushteve të përcaktuara me licencë të shërbimit;
- Përcaktimin e tarifave të shërbimit për ofruesit e shërbimeve, duke siguruar që tarifat të jenë të drejta dhe të arësyeshme dhe të mundësojnë qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve;
- Vendosjen e standardeve të shërbimit dhe mbikëqyrjen e zbatimit nga ofruesit e shërbimeve të këtyre standardeve;
- Monitorimin e performancës së ofruesve të shërbimeve për të vlerësuar nëse ata i përmbushin kushtet e përcaktuara me licencën e shërbimit si dhe caqet e përcaktuara me procesin tarifor;
- Zgjidhjen e ankesave të konsumatorëve në shkallën e dyte ne proceduren administrative;
- Hartimin dhe miratimin e rregulloreve, standardeve dhe vendimeve rregullatore në pajtim me autorizimet që ka në bazë të këtij ligji dhe ligjeve tjera të aplikueshme;
- Inspektimin e standardeve të shërbimit dhe mbikëqyrjen e zbatimit të akteve ligjore të Autoritetit.
SHFAQ TË GJITHA
Llogaridhënia e ARRU
Në pajtim me Ligjin Nr. 05/L -042, për punën e vet, ARRU i përgjigjet Kuvendit të Kosovës i cili e emëron Drejtorin dhe Zëvendësdrejtorin e ARRU.
Financimi i ARRU
Autoriteti financohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës, në pajtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.
Ofruesi i shërbimeve i paguan Autoritetit edhe taksën vjetore të licencimit deri në njëpikëpesë përqind (1.5%) e bruto faturimit vjetor të raportuar në pasqyrën e të ardhurave të saja për vitin paraprak.